Helikopteri vë nën kontroll zjarrin në Mallakastër
Ndërhyrja nga ajri me helikopterin e Forcave të Armatosura bëri të mundur vënien nën kontroll të zjarrit në kodrat e Hekalit, në Bashkinë Mallakastër, pas një operacioni që zgjati për disa orë.
Gjatë gjithë ditës, helikopteri kreu hedhje të vazhdueshme uji mbi vatrat aktive, duke mbështetur forcat zjarrfikëse në terren dhe duke izoluar flakët në zonën me terren të vështirë.
Sipas drejtorit të Repartit Zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër, Mandi Aliaj, në operacion u angazhuan 8 automjete zjarrfikëse, 2 autobote me ujë dhe mbi 40 efektivë, mes tyre edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
Kjo konsiderohej vatra më problematike e zjarrit për shkak të terrenit të thepisur dhe erës që favorizonte përhapjen e flakëve. Aktualisht, zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet më rrezik për përhapje, ndërsa forcat në terren vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.




