Himarë/ Vidhte në banesa, markete dhe objekte kulti, arrestohet 37-vjeçari nga Fushë-Kruja
Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësi”, duke zbardhur një sërë vjedhjesh dhe duke vënë në pranga një 37-vjeçar nga Fushë-Kruja, i dyshuar si autor i tyre.
Sipas hetimeve, shtetasi me iniciale A. A., 37 vjeç, dyshohet se gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka kryer vjedhje në banesa, dyqane, markete dhe objekte kulti në zonat e Dhërmiut, Qeparos, Kuçit dhe Himarës, ku ka marrë shuma parash dhe sende me vlerë.
Identifikimi dhe kapja e tij u bë pas një pune intensive hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin ligjor të rasteve të tjera të vjedhjeve, për të cilat 37-vjeçari dyshohet se është autor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




