Sarandë/ Shiste kok*inë në lokalin që administronte, arrestohet 37-vjeçari; policia i gjen edhe a*më zjarri me fishekë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Administratori” në Sarandë.
Një 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se shiste lëndë narkotike kokainë në lokalin që administronte, ndërsa gjatë kontrolleve iu gjet edhe një armë zjarri pistoletë.
Sipas policisë, në kuadër të kontrolleve të ushtruara në ambiente dhe subjekte të ndryshme të qytetit, si dhe mbi bazën e informacioneve operative, u goditën një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Në pranga ra shtetasi A. H., 37 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit në lokalin që ai administronte në lagjen nr. 4, si dhe gjatë kontrollit fizik, uniformat blu sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë dhe një sasi lënde narkotike kokainë, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.




