Homazhe në nderim të aktorit fierak, Mjeshtrit të Madh Todi Llupi

Në hollin e Teatrit “Bylis” në Fier u zhvilluan homazhet në nderim të aktorit të mirënjohur fierak, Mjeshtrit të Madh Todi Llupi, ku familjarë, miq, kolegë, artistë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit.
Të pranishëm në ceremoninë e homazheve ishin kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, prefekti i Qarkut Fier, Anduel Xhindi, si dhe kolegë e miq të artistit, ndër ta aktorët Luftar Paja, Arqile Lipe, Zhulieta Kulla dhe regjisori Pëllumb Kulla. Në homazhe morën pjesë gjithashtu drejtues të institucioneve të artit dhe kulturës në Fier, aktorë, personalitete të jetës artistike dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan me respekt figurën dhe veprën e Todi Llupit.
Me një karrierë të pasur në skenën e teatrit dhe estradës, Todi Llupi la një gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar dhe do të kujtohet për talentin, humorin dhe kontributin e tij të çmuar ndër breza.
I paharruar qoftë kujtimi i Mjeshtrit të Madh, Todi Llupi.




