Inaugurohet godina e Mitropolisë së Fierit, mesha drejtohet nga Kryepeshkopi Joani dhe Sinodi i Shenjtë
Me një meshë që zgjati më shumë se tre orë dhe me pjesëmarrjen e dhjetëra besimtarëve, organi më i lartë i Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, i drejtuar nga Kryepeshkopi Joani dhe Sinodi i Shenjtë, përkujtoi 10-vjetorin e themelimit të Mitropolisë së Fierit.
Një dekadë më parë u vendos që Fieri, me kishat e tij dhe numrin e lartë të besimtarëve ortodoksë, të organizohej në Mitropoli, si një strukturë përfaqësuese brenda organizimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Sot, pas 10 vitesh, Mitropolia e Fierit inauguroi edhe godinën e saj të re, ku do të zhvillohen aktivitetet zyrtare dhe fetare.
Në prononcimin për mediat, Kryepeshkopi Joani u shpreh se përvjetorët kanë rëndësi të veçantë, pasi janë një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin e paraardhësve, nga martirët e parë të kishës e deri në ditët e sotme, duke theksuar se kisha e ka përmbushur misionin e saj.
Ai u ndal gjithashtu edhe te zhvillimet e fundit globale, duke theksuar rëndësinë e paqes së brendshme:
“Ky ishte mesazhi im edhe për Krishtlindje. Nëse do të ketë një paqe reale, ajo varet nga paqja e brendshme, sepse nëse kushtëzohet nga zhvillimet gjeopolitike dhe interesat e momentit, ajo mund të prishet shumë shpejt.”
Fieri numëron një numër të madh kishash dhe manastiresh, si dhe një popullsi të konsiderueshme me traditë ortodokse, duke u renditur i treti në shkallë vendi pas Korçës dhe Beratit.




