IRONI E FATIT NË LEVAN/ TRE DITË PAS DJEGIES SË PUNISHTES, FLAKËT SHKRUMBOJNË EDHE BANESËN E ÇIFTIT
Një familje në Levan të Fierit është përballur me një tjetër fatkeqësi brenda vetëm pak ditësh.
Vetëm tre ditë më parë, Barjam Sulejmanit iu dogj punishtja ku kishte punuar për më shumë se 30 vite. Sot, një tjetër zjarr ka përfshirë banesën ku ai jetonte me qira së bashku me bashkëshorten, duke e lënë çiftin pa strehë.
Flakët kanë përfshirë banesën dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse, nuk ka qenë e mundur të shpëtohet nga përhapja e zjarrit.
Sipas banorëve të zonës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Shkaqet e sakta pritet të përcaktohen nga ekspertiza.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale.
Tashmë çifti ka mbetur në qiell të hapur dhe po kërkon ndihmën e fqinjëve dhe komunitetit për të gjetur një strehë, pas dy ngjarjeve të rënda që i kanë goditur brenda vetëm tre ditësh.




