“Kemi mbajtur shënime nga protesta”/ Tubimi në Tiranë dhe operacionet e SPAK, Rama për gazetarin amerikan: Mafia shqiptare nuk ekziston, janë gjepura

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë dhe akuzat për rritjen e krimit të organizuar shqiptar në tregjet ndërkombëtare, gjatë një interviste për gazetarin amerikan Andrew Callaghan, në emisionin “Channel 5”.
I pyetur për tubimet e fundit dhe kërkesat e protestuesve për ndryshim, Rama tha se qeveria ka mbajtur shënime për shqetësimet e ngritura dhe se disa prej tyre kanë nisur të zbatohen.
Ndërsa për akuzat mbi fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me trafikun ndërkombëtar të drogës, kreu i qeverisë i cilësoi raportimet për ekzistencën e një “mafia shqiptare” si gjepura, duke iu referuar edhe një deklarate që, sipas tij, i është bërë nga drejtuesi i SPAK.
Pjesë nga intervista-
Rama: Më thuaj çfarë do nga unë.
Gazetari: Çfarë mendimi keni për protestat në rrugë, “Revolucioni Flamingo” dhe njerëzit që kërkojnë ndryshim?
Rama: A po ndjen që këtu është duke ndodhur ndonjë revolucion?
Gazetari: Thjesht po e them ashtu siç e quajnë…
Rama: Është një protestë dhe çdo gjë është në rregull. Ne kemi të drejtën të protestojmë si një vend i lirë demokratik.
Gazetari: A keni dëgjuar ndonjë shqetësim të tyrin që ju ka bërë të mendoni se duhet të ndryshoni disa gjëra për shoqërinë këtu?
Rama: Jo, le të themi që javën e parë, kur të gjithë ishin në rrugë, ishte shumë e dobishme për të kuptuar që të dëgjonim përtej zhurmës. Dhe sigurisht që ne kemi mbajtur shënime. Disa gjëra nga këto shënime janë duke u zbatuar.
Gazetari: Cilat janë ato gjëra që ju mendoni se janë të rëndësishme për t’u zbatuar?
Rama: Për shembull, pasqyra digjitale. Presidenti juaj (Donald Trump), pak ditë më parë ekspozoi një burim informacioni të AI për qeverinë. Kështu që ne e lançuam menjëherë pasi e mbajtëm shënim që nga fillimi i protestës dhe tani po e zbatojmë. Për shembull, tani keni online të ekspozuara në mënyrë transparente çdo gjë që është e lidhur me projektin që ka nxitur turmën.
Gazetari: Një temë që ka dalë shumë nga këto protesta është rritja e krimit të organizuar në Shqipëri. Se si disa grupe të ndryshme janë rritur shumë, duke dominuar në tregun e kokainës në Europë, Australi dhe shtete të tjera.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: Raportet e DEA-s (Agjencia për Zbatimin e Ligjeve mbi Drogat), inteligjenca e SPAK-ut dhe organizata të tjera kanë folur se si tregje të ndryshme të kokainës në Londër, në Izrael dhe porte të ndryshme në Ekuador, tashmë janë nën kontroll nga grupe që kanë pranuar se kanë lidhje me mafian shqiptare.
Rama: Unë kam dëgjuar se, në të kundërt, të paktën drejtori i SPAK, pak vite më parë që nuk ka diçka të tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, siç ka amerikanë, siç ka spanjollë ose italianë, quaji si të duash, që janë të përfshirë në këtë zinxhir mbarbotëror. Por nuk ka asgjë si një mafia shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Këto gjëra janë, më falin, gjepura.
Gazetari: Nga mendoni se vijnë këto gjepura?
Rama: Jo, por janë gjepura sepse nuk përputhen me realitetin e gjërave.
Gazetari: Pra ju mendoni se këto gjëra nuk ndodhin?
Rama: Ky nuk është një opinion. Po ju them që vetë drejtori i SPAK më ka thënë se mafia shqiptare nuk ekziston.
Gazetari: Në rregull. Nëse sheh të dhënat e fundit të publikuara nga SPAK së fundmi, thuhet se përmes 2015 dhe 2024, është vlerësuar se më shumë se 54% e parave që lundrojnë nga agjencitë imobilare dhe sektorit të konstruksionit në Shqipëri vijnë nga burime të panjohura dhe të paligjshme. Ju keni dorë në aprovimin e këtyre zhvillimeve.
Rama: Kush e thotë këtë?
Gazetari: SPAK. Shumë gazetarë ndërkombëtarë.
Rama: SPAK-u nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK-u nuk e ka raportuar kurrë këtë problem, sepse SPAK mund të ketë thënë diçka të ndryshme, që paratë e sekuestruara janë, një pjesë e tyre janë derdhur në agjencitë imobilare. Por SPAK nuk e ka thënë kurrë atë.




