Kërcënime me bombë në disa institucione në qytete të ndryshme, Policia nis verifikimet
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese, ku pretendohet se në këto institucione është vendosur bombë.
Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet në institucionet e përfshira në kërcënim.
Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po vijon hetimet për identifikimin e autorit dhe adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik. Strukturat policore vijojnë të jenë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.




