Kërkohet shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak të Fierit, pritet votim në mbledhjen e radhës

Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Fierit, Fatbardha Merkaj, ka kërkuar zyrtarisht thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, e cila pritet të zhvillohet ditën e Enjte më 30 Prill, ku ndër të tjera kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak, Antoneta Çunaj.
Sipas kërkesës së depozituar, në rendin e ditës parashikohet që çështja e shkarkimit të hidhet për diskutim dhe votim nga anëtarët e këshillit. Deri më tani, nuk janë bërë publike arsyet që shoqërojnë këtë nismë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur në Këshillin Bashkiak të Fierit janë vënë re lëvizje dhe debate të brendshme lidhur me funksionimin dhe drejtimin e institucionit.
Pritet që mbledhja të shoqërohet me diskutime të forta mes anëtarëve të këshillit, ndërsa vendimmarrja përfundimtare do të përcaktohet nga votimi i propozimit të paraqitur.






