Këshilli Bashkiak i Fierit korrigjon administratën: Miraton disa vendime ,ul taksën e ndërtimit dhe miraton investime të reja
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Fierit u karakterizua nga debate, korrigjime të administratës dhe miratimi i një sërë vendimesh me ndikim financiar, urbanistik dhe social.
Një nga çështjet kryesore ishte korrigjimi i përllogaritjes së kontributit që kompania “Ndreu Konstruksion” sh.p.k. duhet të paguajë për fondin e banesave sociale. Komisioni i Ekonomisë konstatoi një gabim në relacionin e administratës, i cili do ta ulte padrejtësisht detyrimin e subjektit. Pas rillogaritjes, kontributi u rrit nga rreth 12.3 milionë lekë në 15.5 milionë lekë, ndërsa Këshilli miratoi pagesën në vlerë monetare.
Një tjetër vendim me peshë ishte ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke e unifikuar atë në 4% për të gjitha kategoritë e ndërtimeve. Nisma u kundërshtua nga administrata e Bashkisë, e cila argumentoi se propozimi nuk ishte në përputhje me procedurat dhe se ligji lejonte norma më të larta për disa kategori ndërtimesh. Megjithatë, projektvendimi u miratua me 32 vota pro dhe një abstenim.
Këshilli miratoi gjithashtu projektin për rikonstruksionin e rrugës “Aulona”, nga rrethrrotullimi i QTU-së deri te kthesa e Azotikut. Investimi, me një fond prej rreth 240 milionë lekësh, parashikon zgjerimin e aksit në katër korsi, trotuare, korsi biçikletash dhe hapësira parkimi.
Në fushën e menaxhimit të mbetjeve u miratua krijimi i tre pikave të përkohshme për depozitimin e mbetjeve inerte, ndërsa gjatë diskutimeve u evidentuan pasaktësi në dokumentacionin mjedisor, të cilat administrata u angazhua t’i korrigjojë.
Këshilli miratoi edhe transferimin e kontratës së qirasë për një sipërfaqe rreth 152 mijë metra katrorë tokë të Bashkisë në Sheq Marinas nga kompania “Enterprises Albania” te “Glow Solar”, shoqëria e krijuar për zhvillimin e projektit fotovoltaik. Kushtet e kontratës mbeten të pandryshuara, ndërsa në dokumentacion nuk bëhet publik niveli i qirasë që përfiton Bashkia.
Ndërkohë, nuk u miratua rinovimi i kontratës për shfrytëzimin e hapësirës pranë shatërvanit në lagjen “Apolonia”, pasi këshilltarët kërkuan dokumentacion më të plotë dhe kushte më të qarta për mirëmbajtjen e lulishtes.
Në fund të seancës u miratuan edhe ndryshimet në buxhetin e vitit 2026, kriteret për ndihmën e menjëhershme financiare për familjet në nevojë, si dhe vendime të tjera me karakter social dhe administrativ.
Mbledhja evidentoi rolin e komisioneve të Këshillit në kontrollin e punës së administratës, pasi disa gabime në relacionet e paraqitura u korrigjuan përpara miratimit të vendimeve.




