AKTUALITETSTAR CHANNEL

Kompania e projektit në Zvërnec reagon pas protestës: Investimi 4 miliardë euro po zhvillohet sipas ligjit, prona është private

Pas protestës së zhvilluar këtë të premte në zonën e Zvërnecit, ku qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kundërshtuan projektin turistik që pritet të ndërtohet në bregdetin e Vlorës, ka reaguar kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka marrë përsipër realizimin e investimit.

Reklama në FieriWeb - "ARGJENDARI ILIA"

Në një deklaratë publike, kompania thekson se projekti po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe se rrethimi i vendosur në zonë ndodhet brenda një prone private, e blerë ligjërisht nga pronarët e saj.

Reklama në FieriWeb - “PIZZA ITALIA FIER”

Sipas kompanisë, investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove dhe konsiderohet një nga projektet më të mëdha turistike në rajonin e Mesdheut. Në deklaratë thuhet se projekti pritet të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, duke kontribuar me 3 deri në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë pesë viteve të ardhshme.

Reklama në FieriWeb - "Oazi i Pishave"
Reklama në FieriWeb - “PAVILION LIQENI”

Përfaqësuesit e kompanisë bëjnë me dije se projekti do të krijojë mbi 10 mijë vende të reja pune, si direkt ashtu edhe indirekt, duke e cilësuar atë një motor të rëndësishëm zhvillimi për qarkun e Vlorës dhe gjithë vendin.

Reklama në FieriWeb

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet çështjeve mjedisore. Kompania garanton se ruajtja e biodiversitetit dhe mbrojtja e mjedisit do të jenë prioritete kryesore të investimit. Për këtë arsye, sipas saj, prej dy vitesh janë angazhuar ekspertë dhe institucione ndërkombëtare për realizimin e studimeve mjedisore, rezultatet e të cilave do të publikohen pas përfundimit.

“Zvërnec South Adriatic Development” thekson gjithashtu se projekti arkitektonik dhe ai mjedisor po përgatiten nga studio prestigjioze ndërkombëtare dhe do të bëhen publikë sapo të finalizohen.

Në reagim nënvizohet se trualli ku do të zhvillohet investimi është pronësi private “metër për metër”, e blerë nga kompania përmes procedurave ligjore dhe me transaksione të kryera në sistemin bankar. Kompania shton se të gjitha autorizimet dhe procedurat janë ndjekur sipas ligjit shqiptar.

Po ashtu, bëhet e ditur se investitorët kanë lidhur marrëveshje me marka të njohura ndërkombëtare në sektorin e hotelerisë, gastronomisë, aktiviteteve sportive dhe shërbimeve të tjera turistike, me synimin për ta shndërruar Vlorën në një destinacion të rëndësishëm të turizmit botëror.

Në fund të deklaratës, kompania dënon aktet e dhunës ndaj pronës private dhe shprehet se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj çdo personi apo grupi që, sipas saj, synon të pengojë ose të shantazhojë zhvillimin e projektit.

Reagimi vjen në një kohë kur debati publik mbi investimin në Zvërnec është intensifikuar, ndërsa organizata mjedisore, aktivistë dhe banorë të zonës kanë ngritur shqetësime për ndikimin që projekti mund të ketë në ekosistemin e ndjeshëm të zonës dhe në Lagunën e Nartës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button