Korçë/ Parakalim i gabuar me kamion, shoferit i pezullohet patenta për 4 muaj dhe gjobitet me 16 mijë lekë
Një drejtues kamioni është ndëshkuar nga Policia Rrugore në Korçë, pasi është filmuar duke kryer një parakalim të gabuar në një segment rrugor me fushëpamje të kufizuar në aksin “Pogradec–Qafë Thanë”.
Ngjarja u evidentua pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej kamioni duke kryer manovrën e rrezikshme. Pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore, Policia arriti të identifikojë drejtuesin e mjetit, shtetasin S. Xh.
Në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, ndaj tij u morën disa masa administrative. Shoferi u gjobit me 16 mijë lekë, iu pezullua leja e drejtimit për 4 muaj, ndërsa iu zbritën 10 pikë nga patenta.
Policia e Korçës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se ndaj rasteve të tilla do të ketë reagim të menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.




