KUSH ËSHTË MATEOS PASHAJ? U DËNUA PËR VRASJE NË MOSHËN 17-VJEÇARE, AKTUALISHT ME “ARREST NË SHTËPI” PËR GODITJEN E NJË GARDIANI

Një shpërthim ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm në banesën e Mateos Pashajt, 37 vjeç, në qytetin e Patosit.
Nga shpërthimi është dëmtuar njëra prej kolonave të portës kryesore të banesës, si dhe një garazh në oborr. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ka qenë vetë Pashaj ai që ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin e autorëve.
I njohur për drejtësinë
Mateos Pashaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2010, kur ishte vetëm 17 vjeç, ai u dënua për vrasjen e bashkëmoshatarit Daniel Rrapushi, ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Patosit.
Sipas të dhënave të asaj kohe, konflikti mes adoleshentëve dyshohet se kishte nisur për shkak të adresave në rrjetin social Facebook. Gjatë përplasjes në qendër të qytetit, Daniel Rrapushi u qëllua me thikë në zemër, ndërsa shoku i tij, Rauf Bregu, mbeti i plagosur.
Për ngjarjen u arrestuan katër adoleshentë, mes tyre edhe Mateos Pashaj. Duke qenë se ishte i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, ai kreu pesë vite burg.
Ndërkohë, në vitin 2024, Pashaj u përfshi në një tjetër incident, ku akuzohet se ka goditur një punonjës të sigurisë së burgut. Për këtë çështje, ndaj tij u caktua masa e sigurisë «arrest në shtëpi», nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar nëse shpërthimi në banesën e tij ka qenë i qëllimshëm dhe për të zbuluar personat që qëndrojnë pas ngjarjes.




