LAHUTA SHQIPTARE NË UNESCO: Tradita mijëravjeçare futet në listën e trashëgimisë botërore
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se arti i të luajturit, të kënduarit dhe ndërtimit të lahutës është përfshirë zyrtarisht në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, në kategorinë e elementeve që kanë nevojë për mbrojtje urgjente.
Lahuta, një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar, është kultivuar ndër shekuj në trevat veriore shqiptare si Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Përmes Eposit të Kreshnikëve dhe këngëve epike, lahutarët kanë përcjellë brez pas brezi vlera themelore si trimëria, besa, nderi, mikpritja dhe qëndresa.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vlerësim ndërkombëtar është rezultat i një procesi të gjatë kërkimor të udhëhequr nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, të cilët kanë hartuar dosjen teknike sipas standardeve më të larta të UNESCO-s. Dosja është dorëzuar në mars 2024.
Procesi është mbështetur nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ndërsa Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Kosovën për ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie të përbashkët kulturore.




