Lëvizte i armatosur në qytet, vihet në pranga 21-vjeçari i shpallur në kërkim në Lushnjë
Një 21-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim.
Në pranga është vënë shtetasi Marlind Sulo, banues në Lushnjë.
Sipas Policisë, ai ishte shpallur në kërkim pasi më 21 mars 2026, në ambientet e një lokali në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku qëndronte me 5 shtetas të tjerë, u gjet dhe u sekuestrua në xhupin e tij një armë zjarri pistoletë. Në momentin e ndërhyrjes, 21-vjeçari nuk ndodhej në lokal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, më 21 mars 2026, u arrestuan edhe 5 shtetasit që ndodheshin në lokal me të riun, për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.




