Lirohet nga burgu Sokol Hoxha, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos dhe të bashkëjetueses në Belgjikë

Gjykata e Fierit urdhëron lirimin e menjëhershëm të 51-vjeçarit, pasi pranoi kërkesën për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit me 25 vite burgim.
Sokol Hoxha, i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, lirohet nga burgu pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Vendimi është dhënë këtë të hënë, më 12 tetor 2026, nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila pranoi kërkesën e Hoxhës dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nëse ai nuk mbahet në burg për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Gjykata vendosi pranimin e kërkesës për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit penal prej 25 vitesh burgim, të dhënë ndaj tij me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, më 19 maj 2000, dhe të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti.
I dënuar për vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë
Sokol Hoxha është dënuar në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Ai është dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e bashkëjetueses së tij, Brunilda Dervishi, në Bruksel, më 29 gusht 1997.
Pas një periudhe të gjatë në arrati, Hoxha u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 2026 dhe u ekstradua në Shqipëri më 6 gusht, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Globi”. Pas ekstradimit, ai u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Prokuroria kërkoi pranimin e kërkesës
Gjatë seancës gjyqësore, avokatët Toto Avdiaj dhe Rozeta Plaku kërkuan pranimin e kërkesës, duke argumentuar se kishte kaluar afati ligjor për ekzekutimin e dënimit.
Edhe prokuroria, e përfaqësuar nga Malbora Dine, kërkoi pranimin e kërkesës, me argumentin se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit dhe se ekzekutimi i dënimit nuk ishte bërë i mundur brenda këtij afati.
Në përfundim, gjykata vendosi lirimin e menjëhershëm të Sokol Hoxhës, me kusht që të mos ekzistojë ndonjë shkak tjetër ligjor për mbajtjen e tij në burg.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Vendimi i Gjykatës së Fierit lidhet me dënimin e dhënë në Shqipëri dhe nuk përbën automatikisht shuarjen e dënimit me burgim të përjetshëm të dhënë nga drejtësia belge.




