
Një lokal është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Karbunarë, në Lushnjë.
Zjarri ka rënë në një lokal që ndodhet në anë të rrugës dhe është përhapur me shpejtësi, duke bërë që i gjithë objekti të digjet dhe të shkrumbohet.
Familjarët, pasi kanë konstatuar flakët, kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit e Lushnjës, por për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, i favorizuar edhe nga prania e materialeve plastike dhe të djegshme, nuk ka qenë e mundur të shpëtohet lokali.
Sipas të dhënave paraprake nga shërbimi zjarrfikës, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.
Në momentet e para të ngjarjes kanë mbërritur edhe pronarët e lokalit, të cilët nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të intensitetit të flakëve. Nuk raportohet për persona të lënduar.




