Mallakastër/ Zjarri në Rriban, Policia evakuon 15 familje dhe bagëtitë, vijon operacioni për shuarjen e flakëve
Policia e Fierit, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe mjetet ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, vijon operacionin për përballimin e zjarrit masiv që ka përfshirë fshatin Rriban, në bashkinë Mallakastër.
Për shkak të avancimit të flakëve drejt zonave të banuara, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë duke evakuuar 15 familje, si edhe bagëtitë dhe kafshët e tyre shtëpiake, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbrojtjen e pronës.
Në terren janë angazhuar efektivët e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me zjarrfikësit, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile, si dhe me mbështetjen nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair, për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin, nëse rezulton se zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Policia e Fierit apelon ndaj qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi temperaturat e larta dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve, duke rrezikuar jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm nga strukturat e Policisë.




