MBËRRIN NË GJYKATËN E FIERIT KËNGËTARI ERIND XHAFERI, PRITET MASA E SIGURISË PAS ARRESTIMIT
FIER – Këngëtari fierak Erind Xhaferi ka mbërritur në Gjykatën e Fierit, ku pritet të përballet me seancën për caktimin e masës së sigurimit, pas arrestimit nga Policia e Fierit.
Xhaferi është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur dyshimi për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”.
Sipas të dhënave paraprake, procedimi ka nisur pas një telefonate të marrë në sallën operative të Policisë së Fierit, ndërsa më pas efektivët kanë kryer verifikimet dhe veprimet hetimore për dokumentimin e rastit.
Seanca po zhvillohet nën drejtimin e gjyqtarit Noel Veizi, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurori Skerdi Sinanaj.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjykata do të vendosë masën e sigurimit personal ndaj Xhaferit.




