Mbi 50 hektarë të djegura në Koilaç, banorët: “Na u shkrumbuan të gjitha”

Mbi 50 hektarë tokë me ullishte, vreshta, sera diellore dhe pemëtari janë përfshirë nga flakët në fshatin Koilaç të Mallakastrës. Ky është bilanci paraprak i dëmeve të shkaktuara nga zjarri i dy ditëve më parë, i cili për disa orë rrezikoi seriozisht edhe banesat e fshatit.
Zjarri ka nisur rreth orës 14:00 të së shtunës, në periferi të fshatit. Të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me ullishte, vreshta, sera dhe pemë frutore.
Të alarmuar, banorët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe policinë. Forcat në terren kanë ndërhyrë për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa për shkak të rrezikut janë evakuuar edhe banorë të zonës.
Për banorët e Koilaçit, mbrëmja e së shtunës ishte një prej momenteve më të vështira. Me lot në sy, ata tregojnë tmerrin e përjetuar teksa flakët afroheshin drejt banesave dhe shkrumbonin gjithçka gjenin përpara.
Banorët kërkojnë që dëmet të vlerësohen sa më shpejt, pasi për shumë prej tyre ullishtet, vreshtat dhe pemëtaria janë burimi kryesor i të ardhurave. Ata thonë se dëmet janë të konsiderueshme dhe pasojat ekonomike për familjet pritet të jenë afatgjata.
Sipas banorëve, zjarri dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në një shtyllë të tensionit të lartë. Shkaku i saktë i rënies së zjarrit pritet të përcaktohet nga hetimet.
Tashmë, pas shuarjes së flakëve, në Koilaç kanë mbetur tokat e nxira dhe dhjetëra hektarë ullishte, vreshta, sera dhe pemë frutore të shkrumbuara. Banorët presin vlerësimin e dëmeve dhe mbështetje për të përballuar pasojat e zjarrit.




