Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një deklaratë për mediat nga Fieri ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në këtë qytet, në rolin e drejtuesit politik të qarkut.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë një deklaratë për mediat nga Fieri ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në këtë qytet, në rolin e drejtuesit politik të qarkut.
Balla tha se Fieri është bashkia me numrin më të madh të anëtarëve të Partisë Socialiste dhe shtoi se takimet do të jenë të përjavshme në aktivitete publike me sipërmarrës dhe profesionistë të fushave të ndryshme ku do të diskutohet mbi problematika të caktuara. Sipas Ballës, PS synon që në zgjedhjet e ardhshme të ketë fitore edhe më të thellë sesa ajo e përballjes së fundit elektorale.
“Procesi i zgjedhjeve brenda PS është një proces i rëndësishëm i forcës më të madhe politike në vend. Ky takim i sotëm i shërbeu pikërisht një konsulte me gjithë drejtuesit e organizatave të PS në të gjithë Fierin. Mos harroni që Fieri mbetet bashkia me numrin më të madh të anëtarëve të PS. Si e tillë na duhet që gjatë këtij procesi, deri në 20 prill, kur ne duhet të kemi zgjedhjen përmes sistemit “një anëtar një votë” të delegatëve të kongresit të PS, jo vetëm që të plotësojmë nevojat e të gjitha atyre njësive, pra organizatave me prurje të reja, më anëtarë të rinj. Por është shumë e rëndësishme që ky proces të shërbejë edhe si një ftesë publike drejtuar të gjithë profesionistëve dhe kujtdo që ka dëshirë të bëhet pjesë e anëtarësisë së PS. Do të kemi me ju komunikime, pothuajse të përjavshme sepse do të kemi aktivitete publike me sipërmarrjen, me profesionistët e fushave të ndryshme, me bujqit, jo vetëm për të diskutuar problematikat por edhe për të krijuar një aleancë mes PS Fier dhe të gjithë këtyre grupimeve, për t’u bërë gati për sfidën e ardhshme zgjedhore. Synimi i PS është një fitore më e thellë se ajo që kishim në përballjen tonë të fundit elektorale”- u shpreh Balla.
Ministri nënvizoi se PS në çdo palë zgjedhje, ka marrë më shumë vota sesa në zgjedhjet pararendëse, duke shtuar se ka më shumë energji në mënyrë që rezultati në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës të jetë edhe më i mirë sesa ai i zgjedhjeve të kaluara.
“Pushteti, ose forca që ka shumicën në Kuvend, caktohet vetëm me zgjedhje dhe me votën e qytetarëve shqiptarë. Nëse i hidhni një sy rezultateve zgjedhore, PS, në çdo palë zgjedhje, ka marrë më shumë vota sesa në zgjedhjet pararendëse. Pra kemi marrë më shumë vota në vitin 2017 se në vitin 2013, më shumë vota në 2021 sesa në 2017, dhe prandaj ky organizim dhe ky masivitet që shikoni sot këtu lidhet pikërisht me përpjekjen që PS, në zgjedhjet e vitit 2025, maksimalisht, të kemi një rezultat më të mirë zgjedhor se ai që kemi pasur. Kështu që unë nuk shoh kurrsesi lodhje, por shoh më shumë energji dhe nevojë për ta dinamizuar PS”- shtoi ministri.
I pyetur nëse i shohin si sfidë nga Sali Berisha daljet e tij në ballkon para militantëve, Balla tha se nuk qëndron një gjë e tillë por theksoi se ajo që bën ish-kryeministri është e papranueshme sa i takon Kodit Penal në Shqipëri pasi një personi që është në arrest shtëpie nuk i lejohet komunikimi me persona të tjerë përveçse ata familjarë.
“Unë këtë gjë e kam quajtur të papranueshme në interpretimin e kësaj; ju ato i mbani mend më mirë se unë edhe ato që unë komunikoj këtu me ju në leximin fjalë për fjalë dhe gërmë për gërmë të asaj që parashikon Kodi Penal në Shqipëri. Meqë jam në një aktivitet politik, uroj që këtë që thoni ju, ta bëjë përditë, sepse qejfi na bëhet!”- tha Balla.