Ndërron jetë 17-vjeçari i plagosur me a*më zjarri në Tiranë, pritet rëndim i akuzave ndaj të arrestuarve

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 17-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në kokë më 24 maj, në zonën e njohur si kthesa e Kamzës në Tiranë.
I riu ishte në gjendje kritike pas ngjarjes dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Rigels Sylaj, ku ky i fundit dyshohet se po u tregonte një armë zjarri shokëve të tij, ndërsa ata po konsumonin alkool. Në rrethana ende të paqarta plotësisht, arma është shkrepur aksidentalisht, duke plagosur rëndë 17-vjeçarin në kokë.
Fillimisht, Sylaj u arrestua për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, por pas ndërrimit të jetës së të miturit, pritet që ndaj tij të rëndojë një akuzë më e rëndë.
Gjithashtu, dy persona të tjerë të pranishëm në ngjarje janë arrestuar, nën dyshimin për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.




