Nga 19 Qershori kufizime për qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë sezonit veror

Policia e Shtetit ka njoftuar se, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, nga data 19 qershor deri më 15 shtator 2026 do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda në autostrada, rrugë interurbane dhe akse që lidhin zonat turistike e bregdetare.
Masat zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit, kufizimet do të aplikohen çdo fundjavë sipas këtyre fashave orare:
- Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
- Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
- Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Ndërsa gjatë festave zyrtare, ndalimi i qarkullimit nis në orën 15:00 të ditës pararendëse dhe vijon deri në orën 22:00, për t’u rikthyer sërish nga ora 07:00 deri në 24:00 të ditës së festës.
Policia sqaron se masa synon rritjen e sigurisë rrugore dhe përmirësimin e qarkullimit në rrugët me fluks të lartë lëvizjeje gjatë sezonit veror.
Nga kufizimet përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen.
Në raste të veçanta dhe për nevoja emergjente, autoritetet kompetente mund të lëshojnë autorizime të posaçme për qarkullim.
Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë këto kufizime, me qëllim shmangien e trafikut të rënduar dhe garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt.




