Nga Spitali Memorial Fier, Ndreca: Erion Veliaj ka nevojë për ndërhyrje urgjente, gjendja e këmbës mund të sjellë pasoja të parikuperueshme

Nga Spitali Memorial i Fierit, avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nevojë për ndërhyrje urgjente mjekësore, pas vlerësimit të gjendjes së tij shëndetësore nga një mjek turk.
Sipas Ndrecës, plaga në këmbë nuk është pastruar siç duhet dhe procesi i rikuperimit nuk ka ecur normalisht. Avokati theksoi se situata paraqitet urgjente, pasi Veliaj ka probleme me ndjeshmërinë e këmbës, të cilat mund të sjellin pasoja të parikuperueshme nëse nuk trajtohen në kohë.
Ndreca bëri me dije se ka kërkuar dokumentacionin mjekësor për ta konsultuar rastin me specialistë në Tiranë, por deri më tani nuk ka mundur ta sigurojë atë. Ai tha se i ka dërguar një email Drejtorisë së Burgjeve dhe drejtuesit të IEVP Fier.
Avokati e cilësoi situatën skandaloze dhe akuzoi institucionet për neglizhencë, duke theksuar se çdo person i paraburgosur ka të drejtën për trajtim të menjëhershëm mjekësor.
Sipas tij, ndërhyrja e specialistëve është e domosdoshme për të shmangur komplikacionet dhe dëmtimet e mundshme afatgjata në aftësinë e Veliajt për të ecur.




