Nis ndertimi i tunelit më të madh nënujor në botë
Ka nisur ndërtimi i tunelit më të madh nënujor, i cili do të lidhë Danimarkën me Gjermaninë nga viti 2029.
Tuneli Fehmarnbelt do të jetë 18 kilometra i gjatë dhe do të shkurtojë udhëtimin mes dy vendeve me 130 km.
Mediat e huaja ndër të tjera shkruajnë se kalimi do të përbëhet nga pjesë të tunelit që do të zhyten në Detin Baltik, domethënë nuk do të ketë shpime nën shtratin e detit.
Lidhja mes ishullit gjerman Fehmarn dhe ishullit danez Loland do të jetë tuneli më i gjatë i kombinuar rrugor dhe hekurudhor në botë.
Kur të përfundojë tuneli, udhëtimi me tren nga Kopenhaga në Hamburg do të zgjasë 2 orë e gjysmë, në vend të 4 orëve e gjysmë aktualisht.
Kalimi i tunelit do të zgjasë 7 minuta me tren dhe 10 minuta me makinë. Për ndërtimin e tij nevojiten rreth 3000 persona dhe një buxhet prej rreth 7 miliardë euro.
Punimet përgatitore nisën në vitin 2020 nga pala daneze dhe në vitin 2021 nga pala gjermane. Kohët e fundit ka filluar pastrimi i kanalit. Ndërtimi aktual i tunelit do të fillojë këtë vit.
Pjesë të tunelit kërkojnë një sasi çeliku që korrespondon me sasinë e nevojshme për të ndërtuar 50 Kulla Eiffel. Ndërkohë pritet që 2029 të jetë edhe viti kur tuneli të përfundojë dhe të përdoret për lëvizje.