Njoftoi grupin që do të blinte kokainë të largohej, ky është polici i “Operacionales” që u arrestua! “Visi i pazareve” komunikonte me trafikantët për drogën me numër anglez
Ky është efektivi i “Operacionales” Ervis Shkurta, i cili dyshohet se dekonsipiroi operacionin antidrogë mbrëmjen e së enjtes (21 mars) ku u arrestuan tre të rinjtë Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni, në automjetin e të cilëve u gjet një sasi prej 1 kg kokainë që do e shisnin.
Gjatë aksionit të agjentëve antidrogë, ku u plagos nga një efektiv i riu Enea Sulejmani, polici Ervis Shkura raportohet se ishte afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen.
Efektivi u zbulua pas zbërthimit të celularëve të të rinjve të arrestuarve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’. Polici mësohet se kontaktonte për drogën me trafikantët me një numër anglez.
Mësohet se ai i kishte telefonuar një prej të arrestuarve 7 herë mbrëmjen kur u kapën nga Antidroga. Ndërsa i kishte dërguar edhe një mesazh ku i pyeste: “A mbaruat punë?”
38-vjeçari ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale kur është marrë në pyetje.
Sipas hetimeve të deritanishme hetuesit dyshojnë se roli i efektivit ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale.
Efektivi Ervis Shkurta dyshohet se ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Ndërkohë Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin kokainën tek rruga “Mihal Duri” ku u kapën nga agjentët e antidrogës.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje