Operacioni “Lockdown” në Tiranë: Çmontohet grupi kriminal që trafikonte armë nga Kosova, 4 të arrestuar

TIRANË – Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”, pas një hetimi dy-mujor me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë.
Si rezultat i operacionit, është goditur një grup kriminal që merrej me trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, të siguruara kryesisht nga Kosova dhe të futura ilegalisht në Tiranë. Në pranga kanë rënë 4 shtetas, të gjithë banues në kryeqytet:
- G. N., 39 vjeç
- R. R., 48 vjeç
- K. C., 49 vjeç
- A. C., 45 vjeç
Nga hetimet rezulton se armët e zjarrit, pasi silleshin nga Kosova, modifikoheshin dhe magazinoheshin në një ambient të fshehtë në zonën e Selitës, i cili u zbulua gjatë operacionit policor.
Gjatë kontrolleve në ambientin e përshtatur dhe në banesat e të arrestuarve, Policia sekuestroi:
- 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë),
- pjesë të ndryshme armësh,
- 1 armë gjahu,
- krehra dhe municion luftarak,
- 3 radio si ato të policisë,
- 1 jelek multifunksional,
- 9 aparate celularë.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.




