Pacient 47-vjeçar shpëton nga goditja në tru në Spitalin Memorial Fier, falë ndërhyrjes së specializuar me trombektomi

Fier – Një tjetër sukses i rëndësishëm është shënuar në Spitalin Memorial Fier, ku ekipi mjekësor ka arritur të shpëtojë jetën e një pacienti 47-vjeçar që pësoi një goditje në tru. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila e cilësoi rastin si një shembull të bashkëpunimit, përkushtimit dhe efikasitetit të teknologjisë moderne në sistemin shëndetësor publik.
Sipas ministres Koçiu, pacienti u paraqit në urgjencën e spitalit vetëm tre orë pas shfaqjes së simptomave tipike të një insulti – pamundësi për të folur dhe për të lëvizur anën e majtë të trupit. Ekipi mjekësor ndërhyri menjëherë duke realizuar procedurën e trombektomisë, e cila bëri të mundur rikanalizimin e plotë të enës së gjakut të bllokuar në tru.
“Vetëm dy ditë pas ndërhyrjes, pacienti u largua nga spitali pa asnjë deficit motor dhe në gjendje të shkëlqyer,” – deklaroi Koçiu, duke shtuar se ky është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë të përgatitjes së mjekëve shqiptarë dhe potencialit që ofron teknologjia moderne në trajtimin e rasteve të rënda.
Rasti konsiderohet si një arritje domethënëse për Spitalin Memorial Fier dhe për sistemin shëndetësor në tërësi, duke dhënë shpresë dhe besim për qytetarët në përballjen me situata të rënda shëndetësore.