Pas 7 orësh në SPAK, Behgjet Pacolli: Kam bërë një denoncim në lidhje me aeroportin e Vlorës

Biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ka dalë nga SPAK pas shtatë orësh.
Siç raporton gazetarja Anila Hoxha ai ishte thirrur në lidhje me padinë për çështjen e Aeroportit të Vlorës.
“Unë vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri tani në lidhje me aeroportin e Vlorës”, ka thënë Pacolli pas daljes nga SPAK.
Ndërsa i pyetur nga gtazetarët nëse e “ pyetën për ndonjë interes me zonjën Balluku”, Behgjet Pacolli është përgjigjur:
“Pyesni avokatin”.
Më pas avokati i tij, Eduart Halimi, dha një deklaratë për mediat, duke theksuar se Pacolli u pyet në SPAK “ku u pyet si person që ka dijeni lidhur me atë që kandodhur dhe po ndodh në Aeroportin e Vlorës”.
“Zoti Pacolli u thirr sot nga Prokuroria dhe u pyet si person që ka dijeni lidhur me atë që ka ndodhur dhe po ndodh në Aeroportin e Vlorës. Për shkak të hetimeve intensive që po kryhen rreth kësaj çështjeje dhe për shkak se çështja është në Gjykatën e Arbitrazhit, komente të tjera nuk mund të japim për shkak të çështjes“, u shpreh ai pas daljes nga SPAK.
Po ashtu Behgjet Pacolli ka bërë edhe një postim në Facebook, duke deklaruar se do të vazhdojnë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK.
“Deshmija dhe denoncimet e mija ne SPAK! Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private.
Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit.
Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore. Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen”, shkruan ai.




