Pas më shumë se 3 muajsh në arrati, dorëzohet në policinë e Fierit, Melisa Beluli – Klement Beqaj vijon të jetë në kërkim

Pas më shumë se tre muajsh në arrati, është vetëdorëzuar në Policinë e Fierit Melisa Beluli, gruaja e gazetarit Gledian Hoxhallari, i cili u plagos rëndë me armë zjarri në fillim të janarit 2025 në Fier. Ngjarja tronditëse ndodhi në banesën e çiftit, ku agresori, Klement Beqaj, i dashuri i Belulit, e qëlloi me armë gazetarin, duke e lënë atë në gjendje të rëndë për jetën. Tragjedia ndodhi në prani të djalit të mitur të çiftit, vetëm 10 vjeç, i cili ishte dëshmitar i gjithë skenës dramatike.
Melisa Beluli u shpall në kërkim menjëherë pas ngjarjes, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni të planit kriminal dhe nuk ka njoftuar autoritetet, duke u akuzuar për bashkëpunim dhe moskallëzim krimi. Gjykata e Fierit kishte caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërkohë që forcat e policisë e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Burime nga policia konfirmojnë se Beluli është paraqitur vullnetarisht pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Fier dhe tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit, ku do të përballet me akuzat që rëndojnë mbi të.
Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes, Klement Beqaj, vijon të jetë në arrati. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe policia ka intensifikuar përpjekjet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Autoritetet kanë bërë apel për bashkëpunim me qytetarët, duke kërkuar çdo informacion të mundshëm që mund të çojë në arrestimin e tij.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave të saj dhe faktit që ndodhi në sy të një fëmije të mitur, ndërkohë që gazetari Gledian Hoxhallari vijon trajtimin mjekësor, pas disa ndërhyrjeve të vështira për shpëtimin e jetës së tij.
Njoftim i Policisë Fier:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim M. H., 29 vjeçe, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 05.01.2025, në lagjen “Apollonia”, dyshohet se shtetasi K. B. (aktualisht në kërkim), në bashkëpunim me 29-vjeçaren, plagosi me armë zjarri, shtetasin G. H., 40 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.