Përndiqte ish-partneren pas ndarjes, efektivi i policisë dërgohet në gjyq nga Prokuroria e Fierit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një efektiv policie, i akuzuar për veprën penale “Përndjekja”, parashikuar nga neni 121/a, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, procedimi penal nr. 295 i vitit 2025 nisi pas kallëzimit të bërë më 10 shkurt 2025 nga një shtetase me iniciale L.C., e cila deklaroi se kishte qenë në një lidhje 17-vjeçare me efektivin e policisë dhe se marrëdhënia kishte përfunduar në vitin 2024.
Nga hetimet rezultoi se pas ndarjes, efektivi dyshohet se ka kryer veprime të përsëritura ngacmimi ndaj ish-partneres, përmes komunikimeve telefonike dhe kontakteve fizike, duke ushtruar presion psikologjik dhe duke i shkaktuar asaj gjendje të vazhdueshme ankthi dhe frike për sigurinë personale.
Sipas Prokurorisë, kallëzuesja kishte depozituar edhe kallëzime të tjera pranë Prokurorive të Fierit dhe Durrësit.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit vlerësoi se janë provuar elementët e veprës penale të “Përndjekjes”, duke vendosur dërgimin e çështjes për gjykim.
Organi i akuzës theksoi gjithashtu angazhimin për hetimin dhe ndëshkimin e çdo vepre penale që cenon sigurinë, lirinë morale dhe jetën normale të qytetarëve.




