SPAK godet grupin kriminal të trafikut të hero*nës mes Shqipërisë dhe Danimarkës, ekzekutohen dy masa sigurie në Fier

SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik heroine nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa janë ekzekutuar dy masa sigurie ndaj dy shtetasve nga Fieri.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasit Marcel Liçaj, alias Grëmi, dhe Ermal Liçaj, ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie në kuadër të procedimit penal nr.55 të vitit 2024.
Për Marcel Liçajn është vendosur masa “arrest në burg”, ndërsa për Ermal Liçajn janë caktuar masat “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet daneze dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, grupi kriminal dyshohet se merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e heroinës në Danimarkë.
Autoritetet daneze kishin regjistruar procedimin penal të koduar “Operacioni Bacchus”, ku rezulton se nga tetori 2023 deri në janar 2024 janë dokumentuar shtatë episode të trafikimit të heroinës përmes Suedisë drejt tregut danez.
Sipas SPAK, lënda narkotike përzihej me paracetamol dhe kafeinë për të rritur fitimet nga shitja në tregun ilegal.
Nga hetimet e përbashkëta është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Danimarkë i tre personave, dy shqiptarë dhe një shtetas i huaj, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar dy shtetas të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
Masat e sigurisë ndaj dy shtetasve në Fier u ekzekutuan më 14 maj 2026 nga Policia e Shtetit.
SPAK bëri të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
(Sipas ligjit, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.)




