Pezullohet oficeri i Policisë në Fier, dyshohet për shkelje të rëndë të detyrës në rastin e dhunimit të 17-vjeçares
Një zhvillim i rëndë ka shoqëruar hetimet për rastin e dhunimit të 17-vjeçares në Fier. Një oficer policie është pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se ka shkelur rëndë standardet e Policisë së Shtetit, duke krijuar marrëdhënie të papërshtatshme me vajzat e përfshira në ngjarje.
Lajmi u bë publik nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili sqaroi se efektivi nuk dyshohet për publikimin e videos së ngjarjes, por për cenim të figurës së punonjësit të policisë dhe shkelje të rregullores gjatë ushtrimit të detyrës.
“Oficeri i policisë që është i përfshirë në ngjarjen e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon apo e ka bërë publike për mediat, por pezullimi i tij është urdhëruar për shkeljen e standardeve dhe cenimin e rëndë të figurës së punonjësit të policisë, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer këtë veprim të kundërligjshëm”, deklaroi Hita.
Rasti i dhunimit të 17-vjeçares ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të ngjarjes nga institucionet përgjegjëse.




