Arsenal armësh, fishekë dhe silenciatorë, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq Milasim Ramajn

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Milasim Ramajn, i akuzuar për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas organit të akuzës, gjatë hetimeve të procedimit penal nr. 1586 të vitit 2025 rezultoi se Milasim Ramaj u kap duke drejtuar një automjet, ku iu gjet një armë zjarri tip pistoletë dhe 50 fishekë.
Kontrollet e mëtejshme në ambientet e përdorura prej tij çuan në zbulimin e një arsenali armësh. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 12 armë të tjera zjarri, përkatësisht 10 automatikë model 56, një armë automatike tip “Skorpion” dhe një pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Po ashtu, u sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe dy silenciatorë.
Ekspertiza tekniko-balistike konfirmoi se armët dhe municionet ishin në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Sipas Prokurorisë, hetimet kanë ngritur dyshime se një pjesë e arsenalit mbahej me qëllim shitjen e paligjshme, fakt që po hetohet në një procedim penal të veçantë.
Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë goditjen e çdo forme të kriminalitetit që lidhet me armëmbajtjen pa leje dhe tregtimin e paligjshëm të armëve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese.




