Proda viziton policët e plagosur pas protestës së dhunshme: Jam krenar për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e tyre

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, vizitoi mbrëmjen e sotme Repartin e Djegieve, ku po marrin trajtim punonjësit e Policisë të dëmtuar gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar para Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Gjatë vizitës, të cilën e zhvilloi së bashku me Ministren e Punëve të Brendshme, znj. Albana Koçiu, Proda u uroi efektivëve shërim sa më të shpejtë dhe i falënderoi për profesionalizmin, sakrificën, durimin dhe maturinë e treguar përballë akteve të dhunës ekstreme.
Në një prononcim për mediat, ai theksoi se gjatë protestës u përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke sjellë si pasojë plagosjen e 16 punonjësve të Policisë.
“Falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar. Vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim të plotë me barbarinë ekstreme me të cilën u përballën”, u shpreh Proda.
I pyetur nga gazetarët lidhur me përfshirjen e dy të miturve në veprime të dhunshme gjatë protestës, Drejtori i Përgjithshëm bëri me dije se hetimet sapo kanë nisur.
“Ekipet po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne kemi bërë vazhdimisht thirrje që të miturit të distancohen nga këto akte. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës do të nxjerrim përgjegjësitë përkatëse”, deklaroi ai.
Sa i përket protestuesve, Proda tha se deri më tani Policia nuk ka informacion për persona të plagosur nga radhët e tyre.




