“Prokurorët po përdorin gazetarë kamikazë”, Rama: SPAK nxori “sekrete” hetimore

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar mënyrën e publikimit të të dhënave nga hetimet, duke deklaruar se sekreti hetimor nuk duhet të përdoret për të dënuar publikisht persona përpara se të përfundojë procesi gjyqësor.
Rama tha se mediat nuk mund të mbajnë përgjegjësinë për ruajtjen e sekreteve hetimore, pasi, sipas tij, roli i tyre është të zbulojnë dhe të informojnë publikun. Ai kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si përdorim të gazetarëve nga prokurorë apo gjyqtarë të caktuar për të krijuar një perceptim fajësie përpara gjykimit.
“Askush nuk mund të pretendojë që sekretet hetimore t’i ruajnë mediat, sepse mediat ekzistojnë për të zbuluar jo për të mbuluar. Prandaj problemi nuk nis tek zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren si gazetarë nga prokurorë apo gjykatës të caktuar, për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa filluar ende gjyqi – njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet vetëm një formalitet.
Prandaj ky problem gjithnjë e më shqetësues, i cili nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, poshtëruar, nënshtruar e dënuar publikisht njeriun përpara se ta gjykojë gjykata, nuk mund të anashkalohet më tej.
Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e politikës, sipërmarrjes apo krimit, duke e normalizuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e shumëpritur e drejtësisë nuk mund të shfaqet assesi si pavarësi nga Kushtetuta, si papërgjegjshmëri ndaj ligjit, si shkëputje nga të drejtat e njeriut dhe si shpërfillje ndaj etikës shoqërore.
Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë. Gjykata ka të drejtën dhe detyrën të gjykojë. Media ka të drejtën dhe detyrën të zbulojë, informojë, kërkojë llogari.
Por askush nuk ka të drejtën ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit, e jo më pastaj ta dehumanizojë botërisht., tha Rama.




