Prostitucioni në Fier, gjykata liron dy shtetaset kineze, por u ndalon daljen jashtë Shqipërisë
Gjykata e Fierit ka caktuar masa sigurimi më të lehta për dy shtetaset kineze të arrestuara në kuadër të operacionit policor “ESKOR-GIRIS-5”, të dyshuara për prostitucion dhe mbajtje të lokaleve për prostitucion.
Sipas vendimit të dhënë më 7 nëntor 2026 nga gjyqtarja Elira Hroni, gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të të dyshuarave, të kryer më 5 nëntor 2026, në orën 10:45.
Megjithatë, për të dyja shtetaset është caktuar masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre, nëse nuk ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi me karakter shtrëngues apo vendim penal dënimi me burgim të formës së prerë.
Në zbatim të vendimit, dy shtetaset duhet të paraqiten të hënën e parë të çdo muaji, në orën 09:00, pranë oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Fierit.
Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e pasaportave ose të dokumenteve të tjera të identifikimit që u mundësojnë daljen jashtë shtetit.
Dy shtetaset kineze u arrestuan pasi dyshohet se kishin marrë me qira një lokal në Fier, të cilin e përdornin për ushtrimin e prostitucionit dhe shfrytëzimin e prostitucionit.
Vendimi i gjykatës mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga dita e nesërme e njoftimit.




