Publikohet fotoja e autorit të dyshuar të vr*sjes në Laç, vijojnë kërkimet nga policia

Është publikuar fotoja e Emiljan Sutit, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Laç.
Sipas hetimeve paraprake, Suti dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri ndaj 40-vjeçarit, në momentin kur ky i fundit kishte zbritur nga automjeti dhe po hynte në pallatin ku banonte.
Viktima, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, është goditur me shtatë plumba pranë hyrjes së banesës. Edhe pse ka tentuar të largohet, autori i dyshuar e ka ndjekur dhe ka qëlluar sërish në drejtim të tij.
I plagosur rëndë, 40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe humbi jetën gjatë rrugës.
Burime hetimore bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar në komisariat nënën dhe vëllanë e Emiljan Sutit, ndërsa kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijojnë.




