Qeveria miraton centralin e ri fotovoltaik në Dërmenas, Fier – 31 MW energji nga dielli

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndërtimin e dy centraleve të reja fotovoltaike në Shqipëri, një prej të cilëve do të ndërtohet në Dërmenas të Bashkisë Fier.
Sipas vendimit të miratuar, centrali fotovoltaik në zonën e Povelçës, Njësia Administrative Dërmenas, do të ketë një kapacitet të instaluar prej 31 MW. Projekti do të zhvillohet nga shoqëria “ALB ENERGY GROUP” sh.p.k.
Ndërtimi, pajisja me lejet përkatëse dhe vënia në operim e centralit parashikohet të realizohen brenda 36 muajve, ndërsa afati i operimit është përcaktuar në 49 vite.
Centrali i dytë do të ndërtohet në Bashkinë Cërrik, me një kapacitet të instaluar prej 20.5 MW, nga shoqëria “TI SOLAR POWER” sh.p.k.
Në total, dy projektet sjellin 51.5 MW kapacitet të ri fotovoltaik, duke synuar rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në vend.
Për Fierin, projekti në Dërmenas përbën një tjetër investim në sektorin e energjisë diellore, duke e shtuar më tej rolin e qarkut në zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.




