Rasti i dhunimit të 17-vjeçares që tronditi Fierin, 19-vjeçarja Lionela Lamaj paraqitet në gjykatë

FIER – Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier 19-vjeçarja Lionela Lamaj, e arrestuar në kuadër të hetimeve për rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje, ngjarje që tronditi opinionin publik në Fier.
Lamaj do të dalë para trupit gjykues për verifikimin e kushteve dhe kritereve të vijimit të masës së sigurimit të caktuar ndaj saj.
Ajo u vu në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, pasi dyshohet për kryerjen, në bashkëpunim, të veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal.
Ngjarja u bë publike pas publikimit të pamjeve ku 17-vjeçarja dhunohej nga disa të reja, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ndërhyrjen e menjëhershme të organeve ligjzbatuese. Seanca e sotme do të përcaktojë nëse masa e sigurimit ndaj 19-vjeçares do të vijojë të mbetet në fuqi.




