Revolta për largimin e Ramës, Alban Skënderaj: Protesta ka zgjuar vetëdijen qytetare që për shumë vite dukej e fjetur, e drejta duhet dëgjuar, jam në mbështetje të transparencës

Këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun Alban Skënderaj, ka reaguar me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, ku shpreh mbështetjen e tij për protestën qytetare, duke e cilësuar atë si një nga momentet më frymëzuese të 35 viteve të fundit në Shqipëri.
Sipas këngëtarit, protesta ka arritur tashmë një fitore të rëndësishme, pasi ka zgjuar një ndërgjegje qytetare që, sipas tij, kishte munguar prej vitesh.
“Protesta qytetare është pa diskutim pasuri për të gjithë. Ajo vendos një standard të ri për brezat që do të vijnë. Përtej çdo debati dhe çdo zhvillimi që historia do ta gjykojë me kohën e vet, unë besoj se kjo protestë tashmë ka arritur një fitore të madhe, ka zgjuar një vetëdije qytetare që për shumë vite dukej e fjetur”, shkruan Skënderaj.
Ai e cilëson protestën si një lëvizje që buron nga qytetarët e zakonshëm, duke pranuar se në çdo kauzë mund të ketë individë apo grupe që përpiqen ta përdorin për interesa të tyre.
“Forca e saj e vërtetë nuk janë ata. Forca e saj janë njerëzit e zakonshëm, njerëzit e ndershëm, ata që nuk kanë pushtet dhe as interesa, por vetëm ndërgjegjen dhe dashurinë për vendin e tyre”, thekson ai.










