Rinas: Sekuestrohen 46 kg kanabis në dy valixhe, arrestohen personat e dyshuar

Një tentativë për trafikim lëndësh narkotike është goditur në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Administrata Doganore dhe Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë skanimit të bagazheve të një fluturimi me itinerar Toronto–Rinas, u identifikuan dy valixhe që ngjallën dyshime për përmbajtje të paligjshme. Pas kontrollit fizik të kryer në prani të poseduesve, u gjetën dhe u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa, e ndarë në 89 paketime.
Personat e përfshirë në këtë rast, së bashku me lëndën narkotike, janë shoqëruar nga strukturat e Policia e Shtetit për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore.
Administrata Doganore e Shqipërisë bëri me dije se kontrollet kufitare do të vijojnë me intensitet, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe aktiviteteve të paligjshme.




