Roskovec/ Plagos me drapër 67-vjeçarin pas një konflikti, arrestohet 52-vjeçari

Një 67-vjeçar ka mbetur i plagosur me mjet prerës (drapër) mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit. Për ngjarjen, policia ka arrestuar në flagrancë një 52-vjeçar, i dyshuar si autor i plagosjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Bledar Baka, 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, kur 52-vjeçari dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin Enver Gremaj, 67 vjeç, në banesën e këtij të fundit në fshatin Suk, e ka goditur me një drapër në këmbë.
Sipas policisë, konflikti dyshohet se ka nisur pasi 52-vjeçari kishte shkuar në banesën e familjes së ish-bashkëjetueses së tij, pavarësisht se ndaj tij ishte caktuar një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi, por është kapur nga shërbimet e policisë rreth 30 minuta më vonë, pranë banesës së tij në fshatin Mbërsh, Roskovec.
67-vjeçari i plagosur është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.




