Rriten viktimat nga aksidentet rrugore në Shqipëri, 200 humbën jetën gjatë vitit 2025

Numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, duke rikthyer në fokus shqetësimet mbi sigurinë rrugore në vend.
Sipas një raporti paraprak të Komunitetit të Transportit për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, gjatë vitit 2025 u regjistruan 200 viktima në aksidente rrugore, krahasuar me 175 viktima një vit më parë. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 14.3%.
Raporti evidenton se Shqipëria regjistron 85 viktima për një milion banorë, një shifër pothuajse dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila qëndron në 43 viktima për një milion banorë.
Megjithatë, të dhënat tregojnë edhe një aspekt pozitiv, pasi krahasuar me vitin 2019, numri i fataliteteve rrugore në vend ka pësuar një ulje me rreth 11.9%.
Ndërkohë, progresi drejt objektivit për përgjysmimin e viktimave deri në vitin 2030 mbetet i ngadaltë. Në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, numri i viktimave nga aksidentet rrugore arriti në 1,287 gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 2019.
Sipas Komunitetit të Transportit, vendet e rajonit kanë bërë hapa përpara në përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e kontrolleve rrugore, por ende nevojitet më shumë punë në mbledhjen e të dhënave, zbatimin e ligjit, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e rripit të sigurimit dhe mbrojtjen e fëmijëve gjatë udhëtimit me automjete.




