Rritje pagash për Policinë e Shtetit nga 1 janari, deri në 20 mijë lekë më shumë
Nga 1 janari, punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje pagash, sipas burimeve të bëra me dije.
Rritja parashikohet të jetë 20 mijë lekë të reja për punonjësit e rolit bazë dhe 15 mijë lekë për efektivët me grada më të larta, deri te drejtuesi madhor.
Kjo masë konsiderohet si rritja më e madhe e pagave e realizuar ndonjëherë për punonjësit e Policisë së Shtetit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë cilësuar më herët këtë nismë si një rritje të konsiderueshme për uniformat blu.
Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar, pas protestave të zhvilluara ditët e fundit në vend, disa prej të cilave janë shoqëruar me akte dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Gjatë këtyre protestave, punonjësit e policisë kanë qenë në qendër të kritikave dhe akuzave nga protestuesit për mënyrën e menaxhimit të situatave.
Pak ditë më parë, qeveria njoftoi gjithashtu një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e Policisë së Shtetit, në vlerësim të angazhimit të tyre gjatë situatave të vështira të krijuara nga protestat.




