“Rrugëtimi ynë europian është i pakthyeshëm”/ Rama në Bruksel: Ky është një proces shtet-ndërtues

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Bruksel se rrugëtimi europian i Shqipërisë është “i pakthyeshëm”, ndërsa e cilësoi procesin e integrimit në Bashkimin Europian si një proces të rëndësishëm shtet-ndërtues.
Në mbërritje për Konferencën e 8-të Ndërqeveritare, Rama theksoi se Shqipëria ka lënë pas një periudhë të karakterizuar nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe se partneriteti me vendet e BE-së është forcuar ndjeshëm.
Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Komisionit Europian në rrugën e reformave, duke nënvizuar se progresi drejt BE-së sjell ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, investime dhe mirëqenien e qytetarëve.
“E nisëm stigmën e një vendi, ku kishte kulturë pandëshkueshmërie dhe sot duket si të ketë qenë në një kohë të shekujve më parë, ndërkohë që ishte pak vite më parë. Partneriteti ynë me vendet e BE është më i thellë dhe rrugëtimi ynë europian është i pakthyeshëm.
I gjithë ky është themeli për pjesën tjetër, për paga më të mira, për vende më mira pune, për investime më të mëdha, e kështu me radha. Dua të falënderoj nga zemra komisionin, sepse është një kujdestar vërtet që na ndihmon në çdo hap që të kuptojmë se çfarë të bëjmë dhe si ta bëjmë.
Ky është një proces shtet-ndërtues. Dua të falënderoj po ashtu Silvion, zëdhënësin tonë të dashur, në emër të kujdestarit, që duhet të na sjellë lajme të mira dhe të këqija”, tha Rama.




