Shëngjin/ Ministri Lamallari dhe drejtori i Policisë inspektojnë masat e sigurisë, 357 shoferë të ndëshkuar për shpejtësi ekstreme

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilluan një inspektim në Shëngjin për të parë nga afër zbatimin e masave të sigurisë gjatë sezonit turistik.

Gjatë vizitës, Hita falënderoi punonjësit e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët po patrullojnë së bashku me kolegët shqiptarë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë fluksit të turistëve.

Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në mbarë vendin, duke theksuar se siguria rrugore mbetet një nga prioritetet kryesore gjatë sezonit veror. Sipas tij, kontrollet janë intensifikuar dhe në akset rrugore po përdoren gjerësisht mjete inteligjente për monitorimin e shkeljeve.

Drejtori i Përgjithshëm bëri të ditur se vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me raste të konstatuara nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h.

“Shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja fatale. U bëjmë apel të gjithë drejtuesve të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën dhe rregullat e qarkullimit rrugor”, u shpreh Hita.

Gjatë inspektimit u diskutua edhe problematika e ndotjes akustike në zonat turistike. Drejtori i Policisë vlerësoi punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet dhe matjet e zhurmës me pajisje të specializuara, ndërsa kërkoi intensifikimin e kontrolleve në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e qetësisë publike dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit.





