Shkeli perimetrin e sigurisë në plazh, bllokohet mjeti lundrues në Sarandë; poseduesi gjobitet me 530 mijë lekë
Policia Kufitare e Sarandës ka bllokuar një mjet lundrues dhe ka ndëshkuar poseduesin e tij me masë administrative në vlerën totale prej 530.000 lekësh të rinj, pasi u konstatua duke shkelur rregullat e lundrimit.
Gjatë kontrolleve dhe patrullimeve përgjatë vijës bregdetare, efektivët konstatuan se mjeti kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Nga verifikimet rezultoi se mjeti lundrues nuk ishte regjistruar brenda afateve të përcaktuara me ligj dhe se në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm.
Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesit u vendosën gjobat përkatëse për shkeljet e konstatuara.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e rezervuara për pushuesit.




