Shqipëria dënon sulmin rus me dron në Rumani: Solidaritet me autoritetet dhe qytetarët rumunë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmit me dron në qytetin Galați të Rumanisë, duke dënuar ashpër aktin që goditi një ndërtesë banimi dhe la të plagosur disa civilë, mes tyre edhe një të mitur.
Në deklaratën zyrtare, Shqipëria shpreh solidaritet të plotë me popullin dhe autoritetet rumune, ndërsa uron shërim të shpejtë për të plagosurit.
Sipas Ministrisë, ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse, duke theksuar edhe një herë koston njerëzore të luftës në Ukrainë dhe rrezikun që ajo paraqet për sigurinë e civilëve edhe jashtë kufijve ukrainas.
“Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, në mbështetje të përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund kësaj lufte në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.




