Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë, 28 Nëntori bashkon shqiptarët në mbarë botën

Shqipëria feston sot 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. 28 Nëntori, i njohur edhe si Dita e Flamurit, është një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare, që bashkon shqiptarët kudo ndodhen në botë.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kuqezi, duke shënuar një moment historik për kombin shqiptar dhe fundin e sundimit gati pesëshekullor të Perandorisë Osmane.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Gjithashtu, iu drejtua edhe shteteve ballkanike, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë si një e drejtë e natyrshme e popullit shqiptar.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë ishte rezultat i përpjekjeve dhe luftërave shekullore të shqiptarëve për liri, identitet kombëtar dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme historike, duke i hapur Shqipërisë rrugën drejt krijimit të institucioneve shtetërore dhe zhvillimit politik, ekonomik, shoqëror e kulturor.
114 vite më pas, 28 Nëntori vijon të mbetet simbol i lirisë, krenarisë kombëtare, sakrificës dhe bashkimit të shqiptarëve.
Në këtë ditë të shënuar kuqezi, FIERI WEB uron të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut:
Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar 114-vjetorin e Pavarësisë! 🇦🇱




